Vajza lesbike për të cilën do lexoni, nuk quhet vërtet Altea. Kjo është historia e një 24-vjeçareje nga Tirana, e cila drejton Aleancën LGBT por që nuk mund të shfaqet në foto dhe as të prezantohet me emrin e vërtetë. Mendoni për një çast, sidomos juve që paragjykoni, se si do të ndiheshit sikur të mbeteshit pa fytyrë dhe emër. Nëse deri tani po pyesnit se “ç`të keqe u kemi bërë gay-ve”, ja përgjigja: I kemi detyruar të jenë dikush tjetër!
Por edhe këta njerëz kanë një fytyrë, e në rastin e Alteas, shumë simpatike. Ajo është një vajzë e imët, me flokë të zeza, të prera shkurt. Mban vathë të zinj, të trashë por s`ka përdorur tualet; madje as fjalët nuk i “grimon”! Natyrshëm flet për një realitet që fare pak e njohim dhe me të cilin, ajo dhe të ngjashmit e saj, jetojnë çdo ditë.
Në pastiçerinë ku jemi ulur këtë mbrëmje të vonë, tryezat ndahen si në dhomëza të vogla, duke krijuar kështu ndjesinë e intimitetit e privatësisë. Por ama, sa herë që zërat rreth nesh fashiten, qeshim të sikletosur dhe na krijohet ndjesia se “po na përgjojnë”.
“Më sill një kakao… ose më mirë birrë… jo, një kakao!” – mëdyshet, derisa më në fund vendos të pi kakao si “gocë e mirë”. Për të kënaqur stereotipin që kemi për lesbiket, ndoshta do t`i shkonte më tepër një birrë. Djem me sjellje femërore, vajza me sjellje mashkullore. “E ç`lidhje ka – proteston – njoh goca që janë të bukura, femërore dhe janë shumë lesbike”, – thotë dhe mbështet mjekrën mbi pëllëmbën e dorës, duke fiksuar sytë në boshllëk. Ndoshta po rrëmon ndonjë kujtim të bukur. “Çfarë mund të bëjmë, kështu ndihemi! Nuk mund dhe nuk duhet të ndryshojmë!”, – thotë me ton të sigurtë.
Men, I feel like a… lesbian!
“Emocionet e para i kam përjetuar që në moshë të vogël, po vetëm në gjimnaz u ndërgjegjësua për orientimin e saj seksual. Kur rrija afër femrave, aroma, butësia e lëkurës dhe gjithçka tjetër, më zgjonte ndjesi që dukeshin thjesht interesante në atë moshë”, – tregon. Përvojën e parë e pati në fillim të universitetit. E dashura ishte po aq e lirshme, pa komplekse; i pëlqenin sfidat dhe s`kishte frikë nga asgjë! Po ka ndodhur që lidhja me një femër të ketë marrë fund pikërisht ngaqë dashuria mbytej nga frikërat e pasiguritë.
Altea s`ka pasur kurrë probleme me të qenit lesbike, ajo mendon se duhet ta duash veten për atë që je. “S`e kam përjetuar kurrë si diçka të keqe seksualitetin tim, madje është një pjesë e imja që nuk do ta ndryshoja kurrë. Shpeshherë, kur jap leksione nëpër universitete rreth LGBT-ve, më pyesin “nëse do të kishte një kurë rreth homoseksualitetit, a do të kurohesha për t`u kthyer në heteroseksuale”. Ajo ç`ka u them gjithmone studentëve është që nuk do zgjidhja kurrë të isha dikush tjetër, edhe pse të jesh gej këtu në Shqipëri nuk është e lehtë – thotë, pastaj shton duke vrenjtur vetullat. “Pse njerëzit kanë paragjykime për diçka që s`u përket, që është jashtë tyre?”. Paqja me veten nuk u mungon gay-ve (si ore na mungoka ne paqja me veten (buzëqesh); ajo çka i mundon është pranimi nga shoqëria, por ajo s`bën dot kompromise kur vjen puna te ndjenjat. “Pastaj, të hiqesh si dikush që s`je, është e lodhshme!”, – rebelohet.
“Vetëm para pak kohësh të mitë e morën vesh se jam lesbike. Kisha frikë mos lëndoheshin”, – e di se duke folur me ta, pak e nga pak, do ta kuptojnë. Trembet vetëm se mos të tjerët u drejtojnë gishtin apo bëjnë diçka kundra tyre. “E të mendosh se më të pamoralshmit, janë të parët që tregohen të dhunshëm me ne”, – thotë e shqetësuar dhe për herë të parë gjatë bisedës, i dridhen duart.
E pyes nëse është gati t`ua tregojë këtë sekret edhe kolegëve në punë, por jo: “Nuk do ta bëja më punën me atë rehati që e bëj tani”. Kurse miqtë e surprizuan! Përpara se ta merrnin vesh se ishte lesbike, nuk kishin përshtypje pozitive për homoseksualët. “Por më kanë mbështetur, ndoshta sepse e kanë kuptuar që unë jam e njëjta”, – thotë e gëzuar që nuk ka humbur asnjë mik pasi u zbuloi atyre sekretin e saj.
Historia e Alteas është më interesantja dhe e rralla, pasi ngjason me një përrallë. Një familje dhe miq që e kanë pranuar siç është, eksperienca të bukura me femra (kjo në një vend ku ndoshta ka lesbike që kanë vdekur pa bërë kurrë dashuri me një femër tjetër) si dhe një punë e mirë në kryeqytet… Por, realiteti i Alteas, është jashtë serie!
Histori (aspak) për të qeshur!
“Pse, ndodh edhe kështu?! –kap herë pas here veten duke bërë këtë pyetje. Edhe ju do kishit reaguar njësoj po të dëgjonit se ka prindër që hedhin fëmijët në rrugë kur marrin vesh se janë homoseksualë; ka të tillë që rrihen, pështyhen dhe denigrohen në mënyrën më çnjerëzore, veçanërisht në qytetet e vogla. “Për ta Tirana është Parajsa”, – thotë Altea, e cila kur sjell ndër mend historitë që di, i ngjethet mishi.
Gjatë kohës që shpërndante fletushka dhe ngjiste postera në mure me djemtë dhe gocat e Aleancës LBGT (Lobi i Gay-ve, Lesbikeve dhe Transeksualëve), i është dashur të dëgjojë nga të gjitha budallallëqet: “Një herë një polic na u afrua dhe pasi lexoi “Homofobia është sëmundje sociale”, tha: “ç`është kjo, sëmundje seksuale?”. Pastaj tregon se si një kalimtar i rastit e kishte marrë homofobinë për instrument muzikor (qeshim të dy). “Ka dhe njerëz të arsimuar që nuk e dinë ç`është homofobia”, – thotë dhe shton se debati që ka hapur Klodi i “Big Brother”-it kur u deklarua publikisht gay, ishte i domosdoshëm. “Të paktën, tani flitet për këtë gjë. Disa janë totalisht kundra, të tjerë tregohen të hapur. E rëndësishme është që shqiptarët të ndërgjegjësohen se ekzistojmë dhe që mund te jemi kushdo, motra, vëllai, nipi, kolegu madje dhe nëna ose babai i dikujt”.
Kur e pyes nëse ka pasur ndonjëherë probleme me njerëzit, tregon: “Shkuam një herë në pab me të dashurën dhe një grup mikeshash. Pimë shumë atë natë dhe në një moment, u puthëm”. “Edhe?!” – e pyes kureshtar! “Na nxorën jashtë, normale. Në fillim mendova se badigardi po tregohej i sjellshëm duke na shoqëruar te dera, madje ua thashë këtë edhe gocave, por në fakt, ai po na përzinte”, – thotë duke qeshur.
Rastet e diskriminimit nuk kanë munguar gjatë aksioneve që të rinjtë e Aleancës LGBT kanë zhvilluar në qytete të ndryshme për të ndërgjegjësuar njerëzit rreth homofobisë. “Gjatë njërit prej aksioneve në Durrës, një grup meshkujsh të cilëve u shpërndamë disa fletushka me informacion rreth homofobisë pasi lexuan fjalitë e para, filluan të thërrisnin më zë të lartë fjalë nga më të ndryrat, madje njëri prej tyre nxorri nga makina një levë të cilën e valviste në ajër duke na kërcënuar”, – kujton Altea – “Më pas, ai filloj të afrohej drejt nesh, por fatmirësisht makina jonë gjëndej aty pranë. Ky episod ishte një tregues i shkallës së lartë të mungesës së informacionit dhe homofobisë që na rrethon dhe na mëson se duhet të jemi më të kujdesshëm gjatë punës që bëjmë pasi nuk i dihet kurrë me cfarë mund të ndeshëmi gjatë aksioneve tona”.
Meshkujt që dua!
“Çdo natë më vijnë në celular mesazhe të tipit: “Nuk jetohet më kështu, me përçmimin e familjes, të shoqërisë. Do vras veten!”, – thotë Altea. Një muaj më parë u njoha me një 15 vjeçar, i cili nuk ishte pranuar të regjistrohej nga drejtoresha e njërës prej shkollave të mesme më të vlerësuara, vetëm nga fakti që kishte flokë të gjatë dhe sipas saj, pamje femërore. Është vetëm 15 vjeç, kurohet nga depresioni pasi nuk e përballon dot diskriminimin të cilit i duhet t`i nënshtrohet. Disa muaj më parë ka tentuar dhe vetvrasjen. Kjo është një dramë të cilën e përjetojnë shumë adoleshent shqiptarë. Të tilla histori e kanë prekur thellësisht, aq sa ka vendosur t`ia dedikojë jetën kësaj kauze, mbrojtjes së të drejtave të homoseksualëve: “Dua ta luftoj dhe ndryshoj këtë mentalitet, se ka qenë i tillë për një kohë të gjatë. Nuk kemi pse vuajmë më, nuk kemi pse shtiremi ata që nuk jemi e të privohemi nga një ndjenjë e bukur, siç është dashuria”.
Tregon për ato raste kur gay-ve të sëmurë me AIDS u është mohuar mjekimi; por jo vetëm. Edhe punësimi është problem! “Kam vënë në lojë shumë gjëra nga jeta ime”, thotë kur e përgëzoj që ka pranuar të japë një intervistë për “Psikostil” – E bëj se i dua këta njerëz dhe do luftoj derisa t`i shoh të lumtur”.
Një lesbike, dihet, dashuron femrat dhe jo meshkujt. Po ndër meshkujt që Altea do, janë pikërisht djemtë e komunitetit gay; sidomos ata që kanë probleme të mëdha. “Jam e lumtur kur shoh se vetëm dy vjet pas krijimit të Aleancës kundër diskriminit LBGT, kanë ndodhur kaq shumë ndryshime”, – pranon entuziaste. Djemtë që në fillim rrinin të kruspullosur, të trembur e me dyshime në festat dhe aktivitetet që organizonte qendra, sot kanë mundësinë të kalojnë disa çaste të lumtura me njerëz që janë si ata, që i duan për atë që janë dhe nuk i paragjykojnë.
Një pjesë e madhe e njerëzve mendojnë që nuk ka diskriminim në Shqipëri, pasi nuk ka homoseksualë. Realiteti ku jetoj unë, dhe mijëra të tjerë si unë, është shumë larg kësaj mendësie. Të jetosh një jetë të dyfishtë në hije, me frikën që s`të braktis kurrë, është diskriminimi më i madh. Të dalësh hapur një kërcënim për vetë ty dhe personat që do më shumë.
Personat si unë janë kudo në familjet tuaja, por frika se mos humbasin dashurinë, vlerësimin e personave që kanë afër i bën ta mbajnë barrën e heshtjes mbi shpatulla.
Shkruar nga: Gentian Minga