Po behen rreth dy vjet tashmë që nga aksioni i parë i posterave që kemi zhvilluar ne të rinjtë e Aleancës LGBT. Para dy vjetësh posterat e parë i prodhuam me mjetet tona, njëri nga ne i dizenjoj ndërsa të tjerët që kishin mundësi i printuan në zyrat e tyre me frikën që dikush mund ti kapte nga momenti në moment. Ateherë ishim vetëm tre vetë me një dosje të mbushur me postera A4, bardh e zi ku shkruhej: “Homofobia është sëmundje sociale!” dhe me një qese të mbushur me ngjitëse. Nuk kishim asnjë ide se si do të priteshin posterat, ose se si do te reagonin njerëzit ndaj nesh, e vetmja gjë që dinim ishte që kishte ardhur momenti që të tjerët të ndjenin një prezencë tonën sado të vogël. Ajo c’ka na shenjoj atë natë ishte ndjesia e lirisë që të dhuron të dalurit hapur, për të qendruar mes të tjerëve pa maskë.
Gjatë këtyre dy vjetëve kemi bërë aksione të ndryshme dhe kemi hasur reagime nga më të larmishmet, agresivitet, habi, vlerësim, përcmim, kuriozitet për më shumë infromacion. Tashmë, ne nuk jemi më vetëm tre, por një grup të rinjsh dhe të rejash gej, lesbike, biseksual, transgjinor, heteroseksual që përmes fushatave tona ndërgjegjësuase mes njerëzve po përpiqemi të përhapim mesazhin tonë të pranimit, mirëkuptimit, dashurisë.
Ditën e premte ne, cunat dhe gocat e Aleancës dolëm në një fushatë posterash rrugëve të bllokut me një mesazh të qartë për të gjithë: Une jam gay dhe mund të jem kushdo! Djali, vëllai, babai, nipi, shoku, kolegu yt!
Nuk munguan as kësaj here fytyrat e habitura të njerëzve kur lexonin të shkruar me të madhe “Unë jam gay” dhe nga kurioziteti afroheshin për të lexuar c’ishte shkruar më poshtë. Disa vazhdonin rrugën duke pëshpëritur dicka mes dhëmbëve, të tjerë thërrisnin me zë të lartë bythq….dhe e grisnin posterin duke e hedhur përtokë dhe duke e shkelur, kishte nga ata që shihnin të habitur herë nga posteri dhe herë nga grupi jonë sikur të kishim ardhur nga një tjetër planet.
Gjithsesi të gjitha këto reagime janë të papërfillshme në krahasim me kënaqësinë që ndjen kur je mes miqsh dhe bashkë me to përpiqesh të ndryshosh realitetin, pse jo dhe boten 🙂
Më poshtë do të gjeni edhe versionin e posterave që u shpërndan në këtë fushat nga Aleanca