Histori ilegalesh

Nuk e di se sa i vërtetë do të duket rezultati e një sondazhi bërë kohët e fundit për shkallën e diskriminimit ndaj homoseksualëve, por ky rezultat më ka habitur me gjithë bindjen e fortë që kam se ne jemi një popull që dimë të diskriminojmë. Rezultati në fjalë tregon se nga 92 deri 95 për qind e njerëzve të intervistuar nuk duan të qëndrojnë afër një homoseksuali…
E trishtuar dhe e vërtetë, aq sa të vjen mirë të mos ta thuash me zë të lartë. Por do të jetë shumë më e trishtuar nëse e fshehim këtë realitet. Tashmë, jemi në mes të rrugës të diskutimit të madh që mendoj se në përmasat, intensitetin, në faktin që për herë të parë ndodh dhe në thellësinë e llojit të “taboo”-së, qëndron në krye të listës të ngjarjeve të Shqipërisë pas zgjedhjeve të fundit: debati për pranimin e homoseksualëve.

Duke bërë një parantezë të shkurtër, do t’ju lutesha sidomos gazetarëve të mos vazhdojnë të cenojnë nga profesionalizmi i tyre e ta quajnë ligjin kundër diskriminimit si ligj të martesave brenda një seksi, apo problemin e homoseksualëve një show të thjeshtë mediatik. Nëse duhet të ketë një mbështetje të mençur e analitike, njerëzore dhe profesionale, kjo duhet të vijë nga përfaqësuesit e mediave: janë ata që duhet të bëjnë përpjekje e të çlirohen të parët nga paragjykimet e pastaj të marrin përsipër trajtimin e një çështjeje të tillë që ndikon direkt në jetët dhe fatet e shumë njerëzve. Duke ndjekur këto, kohët e fundit disa të reja mediatike të komunitetit të homoseksualëve, do të veçoja mes tyre dy më të rëndësishme dhe më sfiduese: daljen hapur të Klodit të “Big Brother” dhe intervistën e mëngjesit të ty vajzave lesbike në “Vizion +”. Dua të vë në dukje se prezantimi i këtyre programeve nga ana e gazetarëve, ishte shumë korrekt. Ajo që më rikujton atë sondazhin ende të pa publikuar, apo atmosferën urryese që endet në për ajrin e qyteteve dhe fshatrave tona për këtë fenomen, është reagimi në internet i njerëzve për ngjarje të tilla.
M’u shtua bindja se jemi vërtet një popull homofobik, kur pashë komentet e shumta që kishte gazeta “Shekulli” pasi Klodi ishte shfaqur si homoseksual. Ishte hera e dytë që u tmerrova nga reagimet e egra. Hera e parë ka qenë në verën e vitit të kaluar, kur Berisha foli për ligjin kundër diskriminimit…Shija e keqe e herës së parë u përsërit, por këtë radhë, pak më e dobët. Përse ndodhi kjo? Nëse Berisha foli duke tronditur një “taboo”, duke qene se ai vetë ishte jashtë këtij grupi, inati i njerëzve u mblodh instinktivisht kundër atij që e lejonte çlirimin e “taboo”-së (kuptohet kundër atij që ka forcë ta lejojë çlirimin e saj). Egërsia, zgjedhja e fjalëve të rënda, paturpësia, mos toleranca, paragjykimi ekstrem, të gjitha këto drejtoheshin drejt një personi që “kishte guximin” të ndryshonte psikologjinë shekullorë. Shto këtu edhe parapëlqimet politike që i bënë kundërshtarët e tij të shanin me shpirt. Nga ana tjetër, te reagimet që lexoja për Klodin, kishte më shumë nënvleftësim, ofendim të moderuar, ironi dhe inat si ndaj një të sëmuri. Në pamjen e parë dukej sikur shqiptarët janë më të kujdesshëm me atë që është më i dobët se ata vetë, mëshira shfaqet lehtë te ata. E megjithatë, përjashtimi ishte drastik: “ai Klodi nuk duhej të ishte nga Lezha , por i ardhur….” Sa përjashtues, aq edhe qesharakë…
A janë vetëm homofobët kaq të lirë gjatë ditës sa të ndjekin gazetat dhe të shkruajnë komentet dhe thjesht jo-homofobët përtojnë ta bëjnë këtë gjë, apo vërtet kemi një përqindje kaq të madhe të homofobisë sa na duhet të mos gëzohemi me disa arritje të vogla ?
E megjithatë, për mua që e kam ndjekur që prej fillimit lëvizjen e homosekualëve në Shqipëri, mendoj se shfaqja e Klodit, ishte një nga të rrallat ( pothuajse janë harruar ose përpiqen të humbasin thellë në kujtesë disa televizive që prej vitit 1994)dhe jo se ishte e para, por se erdhi në një situatë të tillë kur komuniteti homoseksual po tregon se ekziston dhe se ka ndërmend të rrëfejë se jeta e tyre është po aq e rëndësishme sa e të gjithë shtetasve të tjerë, se ata janë po aq normalë sa të tjerët, se dinë të punojnë, të japin kontribute në shoqëri po aq ose edhe më shumë se të tjerët. Shfaqja e Klodit erdhi në një kohë kur Shqipëria sapo kishte qetësuar debatin dhe dilemat mbi ligjin kundër diskriminimit dhe më në fund ky ligj po kuptohet për rëndësinë dhe vlerat që ka. Kështu fenomeni i shfaqjes është më i plotë, më me efekt dhe këtë duhet ta vlerësojë shumë edhe vetë komuniteti. Ndërkohë që , me një ndryshim prej orësh, përpara dy ditësh në “Vizion +” u shfaqën dy vajza lesbike që folën hapur për jetën, preferencat, dilemat dhe zgjedhjet e tyre. Nuk kishte shumë ndryshim mes tyre dhe Mindy Michels, amerikania e njohur tashmë për kontributin dhe ndihmën dhënë komunitetit shqiptar të homoseksualëve. Ishin të gjitha në linjën e sigurisë të identitetit të tyre, të urtësisë së nevojës për t’u dëgjuar. E reja e intervistës, nuk ishte vetëm dalja e tyre (përpara disa vitesh “Top Channel” ka shfaqur një intervistë të një vajze lesbike, e cila ishte trukuar shumë edhe në pamje edhe në zë për të mos u njohur.) E reja në “Vizion +” ishte Ira dhe shoqja e saj kishin zërin e tyre dhe ky është gjesti i sfidës së re. Historia e komunitetit homoseksual në Shqipëri do të shkruhet shumë kohë më vonë si një histori ilegalësh, si histori disidentësh dhe duhet të çmohen këta njerëz që kanë guximin, pasionin dhe që dinë të sakrifikojnë për atë që atë besojnë. Ata e dinë që pas tyre janë “komentatorët” e palodhur homofobë që do t’I qëllojnë, por kjo është një luftë.

Shkruan: Elsa Ballauri

Burimi: Gazeta Panorama

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top