Reagon Aleanca LGBT pas protestes homofobike ne qytetin e Lezhes

Në qytetin e Lezhës pamë sot të marshonin disa djem e burra si besnikët mesjetarë të inkuizicionit në një gjueti shtrigash, apo si muxhahedinët me mjekra të zeza e të pista që rrihnin gratë e tyre me gurë në rrugët e Kabulit.

Sado qesharake që dukej pamja e atyre të rinjve dhe sidomos argumenti i tyre se shqiptarët nuk mund të jenë homoseksualë, kjo ngjarje na detyron të reagojmë përmes kësaj deklarate për media. Pasi rasti në fjalë ka një sfond domethënës që shpjegon diskriminimin sot në Shqipëri.

Eshtë qesharake por mbi të gjitha e trishtueshme të shikosh të rinj që shpenzojnë energji të tilla ndërkohë që duhet të mendonin më mirë si të arsimohen, apo si të punësohen, apo si të rriten të shëndetshëm në një shoqëri që edhe falë prapambetjes së tyre është kaq e egër dhe kaq përjashtuese.

Në vend që të dilnin rrugëve medemek të fyer në krenarinë mashkullore, do të ishte mirë që ata të rinj të mendonin seriozisht se si do t’ia bëjnë kur pas pak muajsh, atëherë kur do udhëtojnë lirisht në Europë, do të ndeshin rrugëve të botës me njerëz që e jetojnë pa komplekse seksualitetin e tyre. Do merrnin gurë dhe do i gjuanin? Apo do ulnin kokën të turpëruar me justifikimin-mashtrim se “nuk ka të tillë në Shqipëri”?

Shumë prej të rinjve që pamë sot në rrugët e Lezhës kanë qenë njëherë apo më shumë të frikësuar në rrugët e Greqisë apo të Italisë, të përjashtuar, pa mjete ekonomike, të diskriminuar e pa dinjitet. Shumë prej të rinjve të tillë për fatin e tyre të keq përfundojnë të kryejnë marrëdhënie homoseksuale me lekë duke u shndërruar kështu në meshkuj që prostituojnë. Po këta, kur kthehen në Shqipëri kërkojnë të mos flitet për të tilla gjëra sepse sigurisht kjo i vendos në pozita të vështira psikologjike e shpirtërore.
I kujtojmë policisë së qytetit të Lezhës se ngjarje si protesta anti-homoseksualizëm në qytetin e tyre janë të paligjshme. Kushtetuta e Shqipërisë dhe Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi I konsiderojnë të paligjshme shfaqje të tilla që frymëzojnë dhunën dhe urrejtjen. Herën tjetër, do ishte mirë sikur policia të gjendej në vendngjarje, në mënyrë që të parandalonte krime që patjetër do të frymëzoheshin në të ardhmen nga kjo frymë urrejtjeje.

I kërkojmë pushtetit vendor në Lezhë që të kërkojë ndjesë publike në emër të qytetarëve që administrojnë për këtë shfaqje të prapambetjes e të varfërisë shpirtërore në qytetin e tyre, e cila do të bëjë xhiron e botës duke na njollosur më shumë imazhin e vendit tonë.

ALEANCA KUNDER DISKRIMINIMIT

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top