Ari ishte djalë i vetëm, kështu që në shtëpi ia plotësonin të gjitha teket. Kur mbushi 18 vjeç, i jati i bleu një Mazda të bukur sportive, që mund të kishte prejardhje të dyshimtë, por që ia plotësonte qejfin djalit. Kjo sikur i kish dhënë krah dhe e bente të dallueshëm ndër shokët. Duke qënë se ishte i bukur dhe me xhepin plotë, nuk i mungonte suksesi ndër vajza, të cilat i silleshin përreth, që t’i hynin në sy. Megjithatë, sa herët që kish provuar të shkonte me to, kish mbetur i pakënaqur, gjë të cilën nuk dinte ta shpjegonte.
Viti i fundit ishte i besdisshëm, pasi pak e kanë mendjen për të mësuar. Le pastaj kur ke para dhe je i privilegjuar. Kur u bë mbledhja e prindërve, mësusja kujdestare, i tha të jëmës se, duke ia plotësuar të gjitha teket, kishin bërë që të mos ia varte fare mësimeve, kështu që ishte mbetës në nja dy lëndë. Por atij s’i bëhej vonë se fundja, paraja kish zbritur nga qielli dhe me të rregullohen të gjitha. Por nuk qe i këtij mendimi i jati, i cili kish plane të mëdha për të ardhmen e tij, kështu ato pak kohë që ndodhej në shtëpi, jashtë biznesit të tij të suksesshëm, ia nxiu jetën me keshilla të mpleksura me moral, që dukeshin akoma më të mërzitëshme.
Atë ditë bënë llafe. I jati do të nisej për në Kinë dhe e ëma nuk ia mbylli historitë si herët e tjera, por ia tha të shoqit akesat e mësueses kujdestare. Kështu plasi lufta e tretë botërore. Ari i mërzitur sa më s’bëhet, që t’i shpëtonte fjalëve, i hipi makinës dhe u nis nga sytë këmbët. E dinte se kur të kthehej , do të fillonte seria e dytë, mendoi, që atë natë të