Unë jam homoseksual. Dhe mund të jem kushdo!
Po behen rreth dy vjet tashmë që nga aksioni i parë i posterave që kemi zhvilluar ne të rinjtë e Aleancës LGBT. Para dy vjetësh posterat e parë i prodhuam me mjetet tona, njëri nga ne i dizenjoj ndërsa të tjerët që kishin mundësi i printuan në zyrat e tyre me frikën që dikush mund ti kapte nga momenti në moment. Ateherë ishim vetëm tre vetë me një dosje të mbushur me postera A4, bardh e zi ku shkruhej: “Homofobia është sëmundje sociale!” dhe me një qese të mbushur me ngjitëse. Nuk kishim asnjë ide se si do të priteshin posterat, ose se si do te reagonin njerëzit ndaj nesh, e vetmja gjë që dinim ishte që kishte ardhur momenti që të tjerët të ndjenin një prezencë tonën sado të vogël. Ajo c’ka na shenjoj atë natë ishte ndjesia e lirisë që të dhuron të dalurit hapur, për të qendruar mes të tjerëve pa maskë.
Gjatë këtyre dy vjetëve kemi bërë aksione të ndryshme dhe kemi hasur reagime nga më të larmishmet, agresivitet, habi, vlerësim, përcmim, kuriozitet për më shumë infromacion. Tashmë, ne nuk jemi më vetëm tre, por një grup të rinjsh dhe të rejash gej, lesbike, biseksual, transgjinor, heteroseksual që përmes fushatave tona ndërgjegjësuase mes njerëzve po përpiqemi të përhapim mesazhin tonë të pranimit, mirëkuptimit, dashurisë.
Ditën e premte ne, cunat dhe gocat e Aleancës dolëm në një fushatë posterash rrugëve të bllokut me një mesazh të qartë për të gjithë: Une jam gay dhe mund të jem kushdo! Djali, vëllai, babai, nipi, shoku, kolegu yt!
Unë jam homoseksual. Dhe mund të jem kushdo! Read More »