Inida Gjata (Zhaku): Mbroj Gay, s’jam lesbike

Është e kudondodhur kur bëhet fjalë për mbrojtje të të drejtave të njeriut. Rasti në fjalë e justifikon më së miri. Inida Gjata, e njohur nga të gjithë si Zhaku, është nga ata personazhe mediatikë, që ka vendosur “të sakrifikojë” pak nga imazhi për të mbrojtur të drejtat e homoseksualëve. E madje ka marrë përsipër ndonjëherë edhe peshën e epitetit “lesbike”. Në këtë intervistë për “Bluetooth”, ajo jep përgjigje për shumë çështje që kanë të bëjnë me orientimin seksual, por njëkohësisht edhe për vështirësitë që ka ky komunitet në Shqipëri.

Kur është krijuar komuniteti gay?
Është duke u krijuar, janë në proces. Unë jam thjesht një mike e tyre që i përkrah, një njeri i medias që përpiqem sa herë kam mundësi të flas për të drejtat e tyre.
Unë në përgjithësi përpiqem t’i mbroj të drejtat e njerëzve, të drejtat e gjithkujt që ka të drejtë ta bëjë diçka, por që nuk ua var, nuk ua fishkëllen dikush; të atyre që janë të marxhinalizuar, vuajnë mungesën e vëmendjes. Shoqata është në proces, është në ndërtim e sipër, komuniteti ekziston prej kohësh. Djem dhe vajza grumbullohen, kanë një hapësirë ku diskutojnë në lidhje me çështjet, me problematikat, me vështirësitë që ndeshin në familje, në shoqëri, kudo; për hir të preferencave të tyre seksuale. Shpeshherë keqkuptohen dhe paragjykohen, gjykohen, ndihen keq, fyen, madje ka edhe raste që dhunohen. Janë djem dhe vajza që janë shumë aktivë, kryesisht vajzat i shikoj që janë edhe shumë të angazhuara për t’i bërë gjërat të ndodhin më shpejt. Pastaj ka shumë anëtarë që jetojnë jashtë. Ndërkohë që ka edhe njerëz të tjerë që nuk e dinë akoma ekzistencën e saj.

Sa të tillë janë aktualisht të aktivizuar?
Ata që janë aktivizuar janë rreth 500 veta që janë aktivë në shoqatë, njerëz që organizojnë takime, flasin dhe merren me komunitetin. Janë rreth 100 njerëz aktivë që merren me ligjet, ndërtojnë projekte kundër homofobisë etj.

Po këto projektet, a kanë gjetur mbështetje?
Ato i mbështet shumë ambasada amerikane, disa fondacione të huaja që i përkrahin vazhdimisht, por problemi është këtu që sado t’i përkrahin të huajt, ato po luftojnë me bashkatdhetarët e tyre. Ata përkrahjen e të huajve e ndjejnë, por këta njerëz nuk jetojnë dot të lirë në vendin e tyre, janë në luftë me mentalitetin, janë në luftë me shoqërinë, janë në luftë me gjithçka që i rrethon. Një njeri që duhet të jetojë i fshehur dhe për çfarë?! Një njëri që nuk bën asnjë krim, nuk vret asnjeri, nuk i bën keq askujt madje përkundrazi, janë njerëz që janë model shumë i mirë për shoqërinë, janë të emancipuar, janë të edukuar, janë të formuar, janë njerëz që nuk e ndotin ambientin, nuk dëmtojnë të tjerët, nuk fyejnë të tjerët, nuk dëmtojnë shoqërinë. Nuk e kuptoj pse duhen parë si një pjesë e dëmshme e shoqërisë. Kjo është diçka që u përket plotësisht atyre, është thellësisht personale ajo që ata duan të ndërtojnë me njëri-tjetrin. Kështu që shoqëria nuk ka pse i vendos përpara trekëndëshit. Sepse ata janë gjatë gjithë kohës si në trekëndësh, “hë, je gay ti!”

Ata që janë anëtarë të shoqatës, jashtë shoqatës e mohojnë apo e pohojnë një gjë të tillë?
Asnjë nuk e mohon, kush është nuk e mohon, mund të mos prononcohen dhe mund të mos dalin me flamur natyrisht, po askush nuk e mohon atë që është, sepse është njerëzore, – sidomos një njeri i shkolluar, ta jetojë jetën ashtu siç do. Nuk e mohon askush. Natyrisht shoqëria është shumë e vështirë dhe është akoma e papërgatitur, apo aq e hapur mendërisht sa të mos i gjykojë, sa të mos i paragjykojë. Kaq duhet, thjesht të mos i shpërfytyrojnë. Askush nuk di të vërtetën absolute dhe sublime, askush nuk është pronari i të vërtetës jo vetëm në Shqipëri po askund.

A ka në këtë komunitet personazhe publik?
Unë njoh personazhe publik që janë gay dhe që këtë e di për hir të konfidencës që unë kam me ata, por që në komunitet nuk ka. Pjesë e tij janë njerëz të thjeshtë. Aty shkojnë si unë për shembull njerëz heteroseksualë, njerëz që kanë mendje të hapur dhe që përpiqen t’i ndihmojnë në lëvizjen e tyre. E vetmja ndihmë që unë mund të jap, është të flas dhe të mbroj të drejtat e tyre, përpiqem që ata kontributin tim, atë çka mund të jap unë, duke e ditur në çfarë terreni jetojnë, të shfrytëzojnë maksimalisht mundësitë e mia.

Duke qenë se mbështesni komunitetin homoseksual, a jeni ndeshur me opinione dhe mendime të tipit, që Zhaku është homoseksuale?
Unë e kam menduar këtë. Edhe kur e diskutoj me njerëz të tjerë që e kanë atë, jo miqtë e mi natyrisht, njerëzit që më rrethojnë. Ka njerëz që mendojnë ‘kjo kot nuk shkon, kjo ka një gjë që shkon atje’. Mua më irriton shkelja e të drejtave të njerëzve. Mua më irriton padrejtësia me pak fjalë dhe kur e shikoj këtë gjë që ndodh që prek një komunitet apo një tjetër, unë jam aty e pranishme për të parë se si mund t’i ndihmoj. Nuk ka rëndësi për mua, janë apo s’janë gay, unë nuk i shoh si gay ata, unë i shoh si njerëz, si njerëz që kanë nevojë për përkrahje dhe siç shoh edhe të verbrit që kanë nevojë për përkrahje, siç shoh edhe shumë të tjerë që kanë nevojë për përkrahje. Ne jemi një shoqëri me plot probleme, që mjafton të kthejmë kokën diku edhe…megjithatë nuk më shqetëson fare sepse unë e di se kush jam, e di se çfarë bëj, jam shumë e hapur me të gjithë, jam shumë e hapur me veten time mbi të gjitha, me familjen, me shoqërinë. Unë e kam kuptuar që nuk jam gay, duke qenë se nuk paragjykoj, e lë veten të lirë të shoh se cila jam unë dhe çfarë më pëlqen tek meshkujt.

Në emisionet tuaja e ka pohuar njeri që është homoseksual?
Ka qenë një herë në fakt kur do të ftoja një person, që është i njohur, (nuk më duket e drejtë t’ia përmend emrin), ata që e kanë dëgjuar edhe mund ta marrin me mend se kush është. Para se të vinte në emision i thashë, do tregosh që je gay, dhe ky më thotë po, patjetër, unë prandaj do vij sepse vetëm aty mund ta tregoj dhe kur vjen në emision nuk ma pranon. Më erdhi shumë keq sepse me gjithë tendencën time, natyrisht unë u ndjeva pak edhe e fyer, sepse për tjetër gjë erdhi, për tjetër gjë u tha. Megjithatë, unë tashmë nuk mund t’u vë njerëzve pistoletën në kokë dhe t’i detyroj të thonë gjëra që s’duan. Megjithatë, media ka për qëllim t’i artificializojë të vërtetat, të mos i bëjë njerëzit të ndihen rehat. Sapo kanë mikrofonin përpara, njerëzit tjetërsohen.
Kur e di se sa e rëndësishme është për një komunitet të caktuar të ndihet i përfaqësuar nga një personazh publik, duhet të mos e shohësh më veten si një person të zakonshëm, duhet të kesh edhe pak ndjenjën e martirizimit sepse tani është një çështje që edhe ti vetë e vuan dhe nuk ke se si të mos japësh edhe ti kontributin tënd.

Sa i ka ndihmuar këta njerëz diskutimi i ligjit në parlament kundër diskriminimit të homoseksualëve?
Nuk besoj se i ka ndihmuar. Kam përshtypjen se ai diskutim në parlament ishte një flluskë, që më shumë u ndërtoi ca ëndrra atyre si një kështjellë rërë sepse shoqëria nuk ndryshon ashtu, ne ligjërisht jemi një vend shumë i mirë, kemi ligje të mira, jemi vend shumë modern, ne kemi problemin se nuk respektojmë ligjin, ne kemi dy botë paralele: është shoqëria që ecën sipas qejfit të vet, është edhe politika që vendosin për këtë vend. Duke qenë se jetojmë në këto dy realitete që zhvillohen paralelisht në të njëjtin vend, ligjet janë të shkruara, nuk i diskriminojnë janë pro integrimit, janë pro martesës, por problemi tjetër është që nuk punon njeri që të emancipohet mendimi i shoqërisë. Dhe dihet që kjo gjë gjykohet. Madje po u tregoj një rast, është një çun në Vlorë, i cili është shpallur armik i Vlorës atje, ka kërcënime të pafundme që duan ta vrasin, e madje parulla nëpër qytet që kërkojnë eliminimin e tij, nëpër rrugë, i cili është një parukier shumë i talentuar që ka nevojë të jetojë i lirë si çdo njeri tjetër, dhe është i detyruar nga shoqëria, nga familja e tij që jo vetëm nuk e pranon, por e lufton. Nga kjo e fundit, dëshira për të luftuar një kategori të caktuar njerëzish, duhet të heqë dorë shoqëria. Njerëzit mund të jenë shumë të lumtur duke i pranuar njerëzit si janë. Por, armiqësimi prodhon probleme të mëdha. Dhe nuk mundet që një komunitet të luftojë kundër një tjetri. Ai djali p.sh, është viktimë e sistemi nuk ka jetë, mendon të vrasë veten, jeton tek shoqëria, por si ai ka njerëz plot të tillë. Ne kur kemi filluar ‘Kafazin’, kanë ardhur njerëz plot të tillë nga fshatrat e humbur, që edhe vetë nuk e kishin kuptuar e në momentin që e kuptonin, nuk e pranonin, e censuronin veten e tyre sepse u dukej sëmundje, problem shumë i madh, por nuk është. Po ta pranosh këtë si të vërtetë, aty mbarojnë gjithë problemet.

Shkruar nga: Ilda Lumani

Burimi: Gazeta Shqiptare

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top