E vërteta e Ligjit kundër Diskriminimit

Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi që shkaktoi për javë të tëra një debat që në fakt i bëri mirë shoqërisë shqiptare, sapo ka hyrë në fuqi, pas botimit në Fletoren Zyrtare. I komunikuar jo saktësisht nga media si një “ligj për homoseksualët”, kjo nismë që në llojin e vet është ndër më të mirat në krahasim me ligjet e ngjashme në vendet e tjera të rajonit, sapo ka filluar “sagën” e implementimit. Dhe nuk është një ligj vetëm për komunitetin gay në Shqipëri, por për këdo qytetar, gay apo jo, që do të diskriminohet për shkaqe nga më të ndryshme.
Organizatat ndërkombëtare dhe ato vendase për të drejtat e njeriut e kanë një sy hapur e një vesh gati për të monitoruar zbatimin e plotë të tij, duke mos u kënaqur vetëm me miratimin e tij.

Sidomos Grupi i Punës që u angazhua për rreth 3 vjet në draftimin e ligjit, por edhe organizatat më autoritare ndërkombëtare për të drejtat e njeriut janë tani në pritje të zgjedhjes së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, institucioni që do duhet të sigurojë zbatimin e këtij ligji.
Sinjali i parë që tregon se qeveria shqiptare mbetet ende nën monotorimin e ndërkombëtarëve në lidhje me të drejtat e njeriut e në lidhje me këtë ligj në veçanti, vjen nga Human Rights Watch. Një prej drejtuesit më të lartë të kësaj organizate, drejtori i programit për LGBT Boris Dittrich, njëkohësisht një aktivist i njohur ndërkombëtar për të drejtat e LGBT i dërgoi një letër falenderimi kryeministrit Sali Berisha. Por që përveç falenderimeve ndaj qëndrimit të Berishës në favor të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Dittrich i shkruan Berishës edhe që: “Ky ligj është një premtim i rëndësishëm – por që është vetëm në fillimet e tij. Tashmë është detyrë e qeverisë shqiptare që të bëjë të mundur që të gjitha masat e parashikuara nga ligji të zbatohen”.
Në këtë letër zyrtare të Human Rights Watch Boris Dittrich u kërkon autoriteteve vendase që të sigurojnë se si zyra e re e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ashtu edhe Ministria e Punës, Cështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të kenë staf të mjaftueshëm për të udhëhequr përpjekjet kundër diskriminimit në Shqipëri.

Thembra e Akilit? Komisioneri…
Ligji për Mbrojtjen nga Diskrimiminimi, i miratuar nga ligjvënësit shqiptarë në 4 shkurt 2010, është një hap përpara në sigurimin e të drejtave të barabarta për të gjithë, deklaroi Human Rights Watch, në një letër dërguar kryeministrit të Shqipërisë z. Sali Berisha. Ky ligj i propozuar nga shoqëria civile dhe promovuar nga Qeveria mbron shqiptarët nga çdo formë diskriminimi.
“Me këtë hap Shqipëria ka treguar lidership në përpjekjet e saj për të siguruar barazi për të gjithë qytetarët”, i tha kryeministrit Berisha, Boris Dittrich, drejtor i programit për LGBT në Human Rights Watch. Në letrën zyrtare Boris Dittrich u kërkon autoriteteve vendase që të sigurojnë se si zyra e re e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ashtu edhe Ministria e Punës, Cështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të kenë staf të mjaftueshëm për të udhëhequr përpjekjet kundër diskriminimit në Shqipëri.
“Ky ligj është një premtim i rëndësishëm – por që është vetëm në fillimet e tij”, tha Dittrich. “Tashmë është detyrë e qeverisë shqiptare që të bëjë të mundur që të gjitha masat e parashikuara nga ligji të zbatohen”.
Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në Nenin 1 të tij, garanton mbrojtjen e të gjithë qytetarëve pavarësisht gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, bindjeve politike, fetare, ose filozofike, statusit ekonomik, arsimor ose shoqëror, shtatzanisë, përkatësisë prindërore, përgjegjësisë prindërore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjëndjes civile, vendbanimit, statusit shëndetësor, predispozicioneve gjenetike, aftësisë së kufizuar, përkatësisë në një grup të veçantë.
I vetmi mekanizëm që do të siguronte zbatimin e një ligji kaq “revolucionar” përsa i përket fushës së gjerë të veprimit do të duhej të ishte një institucion i pavarur dhe për këtë arsye, Grupi i Punës që gjatë gjithë kohës ka punuar nën mbështetjen e fortë të Ambasadës Hollandeze në Tiranë kishte propozuar një Komisioner. Altin Hazizaj, drejtor i CRCA, një prej aktorëve në hartimin e ligjit u shpreh se “Muajt në vazhdim do të jenë esencialë për krijimin e institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së tij. Në këtë aspekt, si përfaqësues të shoqërisë civile duam të shprehim mbështetjen tonë për krijimin e një institucioni jashtë kontrollit të politikës dhe në shërbim të qytetarëvë në Shqipëri”.
Por diçka e veçantë ndodhi kur ligji po diskutohej në komisionet parlamentare në Kuvend. Në komisionin për Punën e çështjet sociale që drejtohet nga z. Tritan Shehu, tre ditë para se ligji të kalonte në seancë plenare, që të gjitha nenet që parashikonin ngritjen e institucionit të Komisionerit si dhe mënyrën e praktikave që do të duhej të ndiqte gjatë punës së tij, u fshinë komplet. Për të paktën disa orë, kjo alarmoi ndërkombëtarët të cilët ishin të sigurt se thembra e Akilit e të gjithë ligjit, ishte pikërisht Komisioneri. Vetëm 3 orë pas këtyre amendimeve, kryeministri Berisha bëri një dalje publike dhe njoftoi se ligji nuk mund të kalonte pa Komisionerin. Gjithçka u përmbys nga e para dhe me disa amendime të vogla, ligji u miratua në Kuvend, pak a shumë siç propozoi shoqëria civile që u mor me draftimin e tij.
Inciativa për përgatitjen e tij u ndërmor nga Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut dhe u mbështet nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, Komitetit Shqiptar i Helsinkit, Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare, Aleanca Kundër Diskriminimit të Personave LGBT, Zyra e Bashkimit Europian në Shqipëri, OSBE dhe Ambasada Hollandeze.

Ekzaltohet komuniteti LGBT në Shqipëri
I menjëhershëm ishte reagimi i komunitetit LGBT në Shqipëri. Aleanca Kundër Diskriminimit të personave LGBT nxorri një deklaratë për shtyp ku falenderoi Kuvendin për këtë ligj dhe i kërkoi Berishës që tani të mbajë premtimin e tij edhe për ligjërimin e martesave mes së njëjtës gjini. ”Aleanca Kundër Diskriminimit të personave LGBT, e mirëpret me entuziasëm miratimin e Ligjit Për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe e konsideron atë një instrument të fortë e të sigurt ligjor për mbrojtjen nga cdo formë diskriminimi, të hapur apo të fshehur”, thuhej në këtë njoftim që përfundonte me fjalët: “Ne falenderojmë kryeministrin Sali Berisha dhe përfitojmë nga rasti që ta inkurajojmë atë që të mbajë fjalën e dhënë për miratimin e një ligji që legalizon edhe martesën mes dy personave të së njëjtës gjini”.

urimi:Revista Mapo
Shkruan : Kristi Pinderi

Gjithashtu e gjeni edhe ne: www.GayAlbania.org

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top