Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura dhe me OSBE publikuan sot në Tiranë Udhëzuesin për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut të personelit të Forcave të Armatosura.
Me rastin e prezantimit të këtij manuali, u zhvillua në Akademinë e Mbrojtjes një Konferencë Kombëtare për këtë cështje ku një prej pikave të diskutimit ishte dhe cështja e të drejtave të homoseksualëve në rradhët e Ushtrisë. Diskutimi u krye në prani të gjeneralëve dhe kolonelëve kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm si dhe në prani të ndërkombëtarëve.
Në këtë panel ishin të ftuar për të diskutuar ish Presedenti z. Rexhep Meidani i cili duke folur për të drejtat e njeriut në Ushtri, të tilla i konsideroi edhe të drejtat e homoseksualëve, ish kryetari i komisionit parlamentar për Mbrojtjen z. Dashamir Shehi, i cili pohoi se kjo është një fushë ku Shqipëria pak ka bërë, deputetja e PS-së znj. Vasilika Hysi e cila tha se “tashmë ka ardhur koha që të flasim edhe për cështje deri më sot tabu në shoqërinë shqiptare si për shembull, të drejtat e personave me orientim të ndryshëm seksual brenda Forcave të Armatosura, etj. Panelin në fjalë e drejtoi znj. Mesila Doda, deputete e PD-së.
Kristi Pinderi, përfaqësues i PINK Embassy, pasi përshëndeti për faktin tepër pozitiv që edhe Ushtria ka nisur tashmë një debat në lidhje me të drejtat e njeriut, tha se, “me miratimin e ligjit Anti Diskriminim, de jure Shqipëria nuk pengon pranimin e gejve, lezbikeve apo biseksualëve në Ushtri, por de facto situata është krejt tjetër”.
Sipas Pink Embassy, Ushtria shqiptare ka nevojë aktualisht që të zhvillojë një proces të mirëfilltë informimi dhe kulturimi të personelit të saj në lidhje me të drejtat që edhe pjesëtarët e Ushtrisë dhe të Forcave të Armatosura gëzojnë në mënyrë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë të vendit.
Kurrikulat e Komandës së Trajnimit dhe të Doktrinës kanë gjithashtu nevojë të rishikohen për të qenë të freskuara me informacion të saktë, të drejtë dhe jo paragjykues në lidhje me homoseksualët meshkuj apo femra të cilët, sipas PINK, “kanë qenë, janë dhe do të vazhdojnë të jenë pjesë e Ushtrisë, ndonëse nuk e deklarojnë dot hapur orientimin e tyre seksual për shkak të atmosferës paragjykuese”.
Në udhëzuesin për të drejtat e njeriut të botuar nga OSBE, një kapitull i vecantë i kushtohet edhe të drejtave të homoseksualëve në ushtri. Udhëzuesi tregon se ka sot tre përqasje kryesore që Ushtritë anëtare të OSBE kanë ndaj cështjes në fjalë. Një pjesë e pranon ligjërisht aktivizmin në ushtri të homoseksualëve madje ka organizuar edhe fushata të mirëfillta sensibilizuese për këtë cështje. Një pjesë tjetër e vendeve aplikojnë doktrinën e famshme të prezantuar fillimisht nga ish Presidenti i SHBA Bill Clinton “Mos pyet, mos thuaj”, ndërkohë që ka dhe vende si Serbia, Greqia apo dhe Turqia të cilat e kanë të ndaluar me ligjin aktivizimin e homoseksualëve në ushtri, ndonëse BE ka disa direktiva që kërkon heqjen e ndalimit të rekrutimit në ushtri të homoseksualëve.
“Shqipëria nuk e pengon me ligj pranimin në rradhët e ushtrisë të personave homoseksualë, ama deri më sot nuk ka as edhe një rast të njohur të deklarimit të orientimin homoseksual në ushtri dhe kjo përpara se të jetë tregues se në ushtrinë tonë nuk ka homoseksualë, mund të jetë tregues i pakundërshtueshëm i homofobisë ekstreme që ekziston në ushtri, ashtu si dhe në shumicën e fushave të tjera të shoqërisë shqiptare”, tha Pinderi. Kjo solli që moderatorja e panelit, znj. Mesila Doda ta konsideronte këtë ndërhyrje si provokuese, pasi sipas saj: “nëse ska patur do të thotë se në Ushtri nuk kemi homoseksualë”, gjë që në fakt është e vështirë ta vërtetosh.
Ambasada PINK ofroi gatishmërinë për të ndihmuar sferat edukuese të Ushtrisë me trainime në lidhje me cështjen e të drejtave të homoseksualëve apo edhe më gjerësisht për ta prezantuar tek të gjithë pjesëtarët e Forcave të Armatosura të drejtat që rrjedhin nga Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Burimi: BallkanPress