Nëna e Klodit, thirrje Liri Berishës dhe Jozefina Topallit. Ndihmoni familjen time! Jeta e nënës së Klodit ka ndryshuar 100 për qind në harkun kohor të 6 muajve. Ajo nuk është më gruaja që dilte që në mëngjes në punë dhe kthehej pasdite pranë fëmijëve të saj.
Familja ime ndihet e kërcënuar, jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe nga ajo shpirtërore. Nuk guxoj të dal shëtitje me fëmijët e mi se na thonë “mami i pederastit”, “vëllai i pederastit”.
Madje, në festën pavarësisë së Amerikës, një ndër tre përshëndetjet kryesore ishte dhe ajo për nënën e Klodit të “Big Brotherit”, “ku mes të tjerash më përmendi edhe mua, duke më thënë që ti je motra ime, dhe u kërkoi të gjithë të pranishmëve të më respektonin dhe donin”, – por ç’të shikoj përtej, shprehet zonja Lumturi.
“Shikimi i njerëzve ishte diskriminues dhe askush nuk erdhi të më jepte dorën dhe të më përqafonte, apo qoftë edhe të trokisnin një gotë”. Aty ishin të gjithë, që nga politikanë e deputetë deri tek njerëzit më të thjeshtë. “Tani kemi një fije shprese nga ambasada Holandeze, por ende asgjë konkrete”, – shprehet ajo.
Shqetësimi i Klodit dhe i nënës së tij është për përdorjen e emrit Klodian Çela sa herë që bëhet fjalë për një bisedë për lejimin e homoseksualëve dhe mos diskriminimin e tyre. “Ata nuk mund të hanë në kurriz të djalit tim”, – pohon Lumturia.
Në fillim na kanë premtuar ndihmë. E kam takuar edhe Kristi Pinderin që tashmë është një nga themeluesit e ‘Ambasadës Pink’ dhe më ka thënë shprehimisht ‘na ke ne’, po unë që në atë periudhë nuk e kam parë dhe as është munduar të vijë të më takojë.
Çfarë janë këto shoqata që nuk mbrojnë të drejtat e askujt që marrin vetëm lekët, të përdorin dhe asgjë më tepër”, – shprehet e irrituar nëna e djalit që bëri jehonë për pranimin në publik të homoseksualitetit të tij.
Pas qëndrimit 4 muaj në “Big Brother”, kur doli jashtë realiteti ishte krejt ndryshe nga ç’e kishte menduar. Jo vetëm komplimente, por edhe fyerje dhe ofendime pa fund për prirjet e tij seksuale. Gjithçka e ka përballuar me qetësi edhe pse situata të ndryshme e kanë bërë të mos ndihet mirë. Premtime për një punë, e nga ana tjetër nuk është bërë asgjë.
Presionet e vazhdueshme, kërcënimet që i kanë ardhur në facebook, kanë sjellë probleme në shëndetin e Klodit. “Gati-gati kam rënë në depresion”, – thotë ai. Me bindje pohon se ka nevojë për një psikolog. Nuk ka mundur të shkojë as te varri i të atit në Lezhë.
Nuk ka mundur as të shkojë të vizitojë gjyshen e sëmurë dhe nga ana tjetër nuk guxon të shkojë të marrë pasaportën në vendlindje, të gjitha këto për një arsye, të mos krijojë provokime nga ana e homofobikëve, të cilët Klodi i ka hasur jo pak këto kohë.
Shtëpia
Familja Çela jeton në një ambient 40 metra katrorë në një apartament të ri në qytetin e Durrësit. Ambientet janë shumë të vogla për një familje me shtatë anëtarë. Zonja Lumturi (nëna e Klodit) i kërkon shtetit që ta strehojë, por ajo nuk do asgjë falas. Ajo pohon: “I lutem shtetit që le ta marrë shtëpinë që kemi në Lezhë, është një banesë që e ka zili gjithë qyteti, dhe iu kërkoj pushtetarëve të më japin një banesë këtu, pasi ne nuk mund të kthehemi dot më në atë vend. Ambienti është shumë diskriminues dhe nuk do ta përballonim dot atë valë urrejtje”.
Burmi: Besniku.tk