Tiranë, më 15.12. 2010
LETËR-KËRKES
(Urgjente)
SHQIPËRIA TË VOTOJË PRO PËRFSHIRJES SË PERSONAVE LGBTNË REZOLUTËN MBI EKZEKUTIMIN JASHTËGJYQËSOR NË 20 DHJETOR NË ASAMBLENË E PËRGJITHSHME TË OKB-së
Drejtuar: Z. Edmond Haxhinasto – Ministër i Jashtëm
Republika e Shqipërisë
Për dijeni: Prof. Dr. Sali Berisha – Kryeministër i Shqipërisë
Znj. Irma Baraku – Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi
I nderuar Zoti Ministër,
Ditën e hënë, më 20 Dhjetor 2010, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë mbi përfshirjen ose jo të mbrojtjes së personave LGBT në një Rezolutë tejet të rëndësishme mbi ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe vrasje të tjera të paligjshme. 10 vitet e fundit kjo Rezolutë i ka nxitur shtetet “të hetojnë me kujdes të gjitha vrasjet…të gjitha vrasjet e kryera për çdo lloj arsyeje diskriminuese,përfshirë edhe orientimin seksual”. Kjo është Rezoluta e vetme e Kombeve të Bashkuara që përfshin në mënyrë eksplicite referencën për orientimin seksual.
Muajin e kaluar, një numër shtetesh propozuan amendimin e saj për të hequr referencën e orientimit seksual nga kjo rezolutë e rëndësishme. Ky amendim u miratua me një diferencë shumë të vogël votash, me 79 shtete që votuan për heqjen e referencës së orientimit seksual, 70 shtete që mbështetën mos heqjen e referencës dhe 43 shtete që abstenuan ose nuk votuan. Për fat të keq përfaqësuesi i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nuk ishte prezent në votim.
Megjithatë egziston mundësia e rivendosjes së orientimit seksual dhe madje duke përfshirë edhe identitetin gjinor, përmes ridiskutimit të kësaj Rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në 20 dhjetor 2010 në Neë York.
Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri dhe Aleanca kundër Diskriminimit LGBT, dy organizata që punojnë drejtpërdrejtë në drejtim të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të komunitetit LGBT në Shqipëri, i kërkojnë Shtetit shqiptar, që përmes përfaqësuesit të saj në OKB, të mbështesë përfshirjen në këtë rezolutë të mbrojtes së personave për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor nga vrasjet e paligjshme.
Ne kërkojmë që Shteti Shqiptar, nëpërmjet përfaqësuesve të saj, të mbështesë përfshirjen në këtë Rezolutë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor jo vetëm për shkak të angazhimeve të saj të shprehura publikisht dhe ndërkombëtarisht në mbrojtje të të drejtave të këtij komuniteti, por edhe sepse vrasja e njerëzve për cfarëdo lloj arsyeje nuk mund të jetë KURRË e pranueshme.
Në Shkurt të vitit 2010, Shqipëria miratoi një nga ligjet më të avancuara në Europë, për mbrojtjen e nga diskriminimi. Ligji e shtrin mbrojtjen e tij nga diskriminimi edhe per komunitetin LGBT në Shqipëri. Një vend me një legjislacion kaq të përparuar nuk mund të votojë PRO VRASJES së qytetareve të thjeshtë në një vend tjetër, pasi njerëzit kanë të njëjtin dinjitet dhe të drejta kudo ku ata jetojnë.
Ne jemi të gatshëm të takohemi dhe të diskutojmë më tej me ju për këtë cështje kaq të rëndësishme që në fakt ka të bëjë me një prej formave më serioze të dhunimit të të drejtave të njeriut, të të drejtës së jetës.
Sinqerisht,
Kristi PINDERI Drejtor Pink Embassy/LGBT Pro |
Xheni KARAJ Drejtore Aleanca kundër Diskriminimit LGBT |
Altin HAZIZAJ Drejtor CRCA / DCI Shqipëri |
Elsa Ballauri Drejtore Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut |
Vjollca Meçaj Drejtore Komiteti Shqiptar i Helsinkit |
Monika Kocaqi Drejtore Shoqata Refleksione |
Elona Gjebrea Drejtore Qendra për Popullësinë dhe Zhvilimin |
Adrian Kati Drejtor Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Torturës |
Mirela Arqimandriti Drejtore Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim |
Kozara Kati Drejtore Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut |